Zvicër, policia sekuestroi kokainë, para dhe armë – arrestohet 48-vjeçari nga Kosova

05.09.2025

Një operacion policor i zhvilluar të mërkurën në Dagmersellen ka rezultuar me arrestimin e një të dyshuari për trafik droge.

Sipas autoriteteve, gjatë bastisjes së shtëpisë së tij u gjet një sasi e madhe substance e dyshuar si kokainë, dhjetëra mijëra franga zvicerane në para të gatshme, pajisje të ndryshme të përdorura për përpunimin e drogës si dhe një armë e ndaluar.

Në aksion u përdor edhe një qen detektues i specializuar për identifikimin e kartëmonedhave, i cili ndihmoi në zbulimin e parave të fshehura. Policia e Lucernit ka konfirmuar se i dyshuari është një kosovar 48-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, transmeton urgjent.com.

Hetimet për rastin po zhvillohen nga Zyra e Prokurorit Publik të Sursee, e cila pritet të hetojë më tej lidhjet e mundshme të të arrestuarit me rrjete të tjera të trafikut të drogës.