Dyshohet se vrau gruan dhe veten, mediat zvicerane zbardhin detaje për 42-vjeçarin nga Kosova
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytezën e Epagny në kantonin e Friburgut, Zvicër, ku pas të shtënave me armë zjarri dhe një zjarri të mëpasëm në një ndërtesë banimi, janë gjetur dy trupa të pajetë.
Alarmi u dha të enjten në mëngjes rreth orës 09:15, kur policia kantonale e Friburgut u njoftua për të shtëna armësh pranë një ndërtese banimi në Epagny FR. Sipas raportimeve, menjëherë pas të shtënave, një burrë ka hyrë në banesë i armatosur me një armë të gjatë. Pak kohë më vonë, nga ndërtesa ka shpërthyer zjarri.
Pas shuarjes së flakëve rreth mesditës, ekipet e emergjencës kanë bërë një zbulim makabër, duke gjetur fillimisht një dhe më pas edhe një trup të dytë të pajetë në rrënojat e banesës, së bashku me armën e zjarrit. Hetimet e para të policisë sugjerojnë se njëri prej viktimave mund të jetë autori i dyshuar i të shtënave.
Burime për median Blick kanë zbuluar identitetin e të dyshuarit, një burrë rreth të dyzetave me origjinë nga Kosova. Sipas këtyre informacioneve, ish-inxhinieri i ngrohjes dyshohet se ka hyrë i armatosur në vilë dhe ka vrarë bashkëshorten e tij, e cila punonte aty si pastruese. Më pas, ai dyshohet se i ka vënë flakën shtëpisë dhe ka kryer vetëvrasje.
Detaje tronditëse dalin në dritë mbi të kaluarën e të dyshuarit. Sipas burimeve, ai sapo ishte liruar nga burgu. Mësohet se bashkëshortja e tij kishte bërë kallëzim penal për dhunë në familje dhe kishte paraqitur kërkesë për divorc.
Një njohës i tijka deklaruar për Blick se ai nuk e kishte fshehur “preferencën e tij serioze për armë” dhe madje u tregonte kolegëve pjesë nga koleksioni i tij.
Çifti i ndjerë kishte katër fëmijë, përfshirë një djalë të rritur që kishte punuar në të njëjtën kompani me babain e tij disa vite më parë.
Kryetari i bashkisë së Epagny, Jean-Pierre Doutaz, ka konfirmuar për La Liberté se dy viktimat nuk ishin banorë vendas. Policia ka sqaruar se pronarët 81-vjeçarë të banesës, të cilët ishin banorët e vetëm, nuk janë prekur nga ngjarja dhe janë dërguar në një vend të sigurt. Sipas Le Matin, ata po marrin mbështetje psikologjike për shkak të traumës së përjetuar në shtëpinë e tyre.
Pas alarmit, forca të shumta policore dhe njësi speciale kanë siguruar zonën dhe kanë evakuuar banorët nga afërsia e ndërtesës. Shërbimet e urgjencës kanë rrethuar gjithashtu zonën e ngjarjes. Rruga kryesore midis La Tour-de-Trême dhe Epagny ka qenë e mbyllur për trafik deri vonë pasdite.
Gjatë operacioneve të shuarjes së zjarrit, forcat zjarrfikëse dhe policia kanë koordinuar veprimet. Policia ka siguruar publikun se nuk ka rrezik të mëtejshëm për popullatën.
Policia kantonale e Friburgut ka njoftuar se identifikimi zyrtar i dy personave të vdekur është ende në proces. “Ne kemi disa dyshime, por gjendja e trupave nuk na ka lejuar ende t’i konfirmojmë ato përfundimisht,” ka deklaruar zëdhënësi i medias Martial Pugin për Blick. Hetimet vijojnë intensivisht për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.