Zgjedhjet lokale 2025 – Pa incidente dhe me respekt për procesin, Suhareka me kulturë demokratike në votime

10.11.2025

Në komunën e Suharekës, zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryetarit të komunës u mbajtën në raundin e parë më 12 tetor 2025, ku garuan katër kandidatë: Bali Muharremaj, Ardian Shala, Hamdi Bytyçi dhe Dardan Berisha. Gjatë kësaj periudhe, partitë politike në komunë zhvilluan debate, prezantuan programet e tyre qeverisëse për katër vitet e ardhshme dhe shpesh akuzuan njëra-tjetrën për çështje të ndryshme.

Qytetarët e komunës së Suharekës treguan një qëndrim të qetë dhe të matur gjatë procesit, duke eliminuar nga gara dy kandidatët Hamdi Bytyçi dhe Dardan Berisha. Kështu, në raundin e dytë të zgjedhjeve, që u mbajt më 9 nëntor 2025, garuan vetëm Bali Muharremaj dhe Ardian Shala.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Bali Muharremaj fitoi bindshëm me 55,60% të votave apo 11,640 vota, duke siguruar mandatin e tretë radhazi për të udhëhequr komunën e Suharekës.

Pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ, Bali Muharremaj shpalli fitoren e tij, e cila filloi të festohej fillimisht tek zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Suharekë, dhe më pas qytetarët vazhduan drejt sheshit të qytetit. Edhe pse moti ishte me shi, qytetarët që e përkrahen Muharremaj në këto zgjedhje nuk u ndalën nga reshjet e vazhdueshme të shiut, duke festuar së bashku dhe duke i uruar fitoren me një atmosferë të mirë dhe kulturë.

Gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve, portali SuharekaOnline ka përcjellë nga afër çdo zhvillim, duke përfshirë debatet, prezantimin e planprogramve, akuzat mes kandidatëve, por edhe reagimet e qytetarëve. Përveç disa vështirësive në qendrat e votimit të dielën e 9 nëntorit – si ngrohja e ambienteve dhe mungesa e lapsave të veçantë për personat e verbër, procesi i votimit u zhvillua pa incidente.

Pas përfundimit të numërimit të votave, Ardian Shala pranoi publikisht rezultatin dhe i uroi fitoren kundërshtarit të tij, duke treguar kulturë demokratike dhe respekt për vullnetin e qytetarëve.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve tregojnë për një qytetari të pjekur, e cila ka ditur të përdorë të drejtën e votës në mënyrë të përgjegjshme, duke vendosur për të ardhmen e komunës për katër vitet e ardhshme.