Zgjedhjet e 9 nëntorit – Sot nis numërimi edhe i votave me postë

15.11.2025

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) sot do të fillojë numërimi i fletëvotimeve të ardhura nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna. Lajmi është konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka njoftuar se procesi i numërimit pritet të nisë nga ora 10:00.

Sipas KQZ-së, një ditë më parë janë vlerësuar dhe verifikuar më shumë se 9,800 pako të supozuara me fletëvotime, të ardhura përmes postës nga votuesit jashtë vendit. Mirëpo, jo të gjitha kanë kaluar procesin e verifikimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se rreth 2,570 pako janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit – dokumentit unik që votuesi e merr nga KQZ pas regjistrimit për votim me postë.

“Deri të premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,570. Arsyeja më e shprehur është se në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit”, tha Elezi për Ekonomia Online.

Ai bëri të ditur se më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, janë tërhequr 13,084 pako të supozuara me fletëvotime, që i takojnë votimit me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve. Shumica e këtyre pakove tashmë kanë mbërritur në Kosovë dhe janë duke u procesuar.

Në përfundim të procesit të vlerësimit, KQZ ka paralajmëruar se do të publikojë të dhëna të detajuara për secilën komunë, duke përfshirë numrin e pakove të pranuara dhe atyre që do të hyjnë në procesin e numërimit në QNR.