Të gjithë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit kalojnë filtrin ligjor të KGJK
Të gjithë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit janë verifikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe kanë kaluar filtrin ligjor.
Foto: Ilustrim
Sipas KQZ-së, asnjë prej tyre nuk është dënuar në tri vitet e fundit me një vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale që parashohin një ose më shumë vite burgim efektiv.
Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi. Ai theksoi se, bazuar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një kandidat nuk mund të certifikohet nëse ka një dënim të tillë në tri vitet e fundit.
“Përgjigjja nga KGJK konfirmoi se asnjë prej 1 mijë e 280 kandidatëve nga 28 subjektet politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit,” tha Elezi.
KQZ tashmë ka nisur procesin e certifikimit të subjekteve dhe kandidatëve. Deri më tani, janë certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë, ndërsa janë në pritje të certifikimit edhe 17 subjekte të tjera me 674 kandidatë.
Gjatë periudhës së aplikimit, nga 1 shtator deri më 11 dhjetor 2024, kanë aplikuar gjithsej 28 subjekte politike, përfshirë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësojnë këto subjekte arrin në 1,280.
KQZ ka kërkuar verifikime nga disa institucione për të siguruar që kandidatët i përmbahen kufizimeve ligjore. Përveç KGJK-së, janë përfshirë edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Filtrat ligjorë për kandidatët
Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kandidatët nuk mund të jenë:
- Personat që janë dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë për një periudhë tri vjet para zgjedhjeve.
- Zyrtarë të PZAP-it ose persona që kanë humbur të drejtën për të kandiduar me vendim të gjykatës apo PZAP-it.
- Personat që nuk kanë paguar gjobat e vendosura nga PZAP-i apo KQZ-ja.
- Ata që nuk kanë respektuar urdhrat e PZAP-it.
Gjithashtu, kandidat nuk mund të jetë një person që ka status funksionari me privilegje të veçanta ose është anëtar i shërbimit të jashtëm diplomatik.