Suhareka drejt së ardhmes, administrata komunale bëhet SMART për qytetarët, të gjitha me një klik

15.09.2025

Katër vitet e ardhshme pritet të sjellin një transformim historik në mënyrën si funksionon Komuna e Suharekës. Kryetari Bali Muharremaj ka shpallur se synimi i tij është që e gjithë administrata komunale të shndërrohet në një administratë SMART – digjitale, transparente dhe e ndërtuar rreth nevojave të qytetarëve.

Në një njoftimtë fundit, Muharremaj ka theksuar se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të humbin kohë në sportele për shërbime bazike. Përveç lejeve të ndërtimit, ankesat, kërkesat dhe të gjitha shërbimet që ofron administrata komunale do të bëhen online, me afate të qarta dhe gjurmim të statusit në kohë reale.

“Kjo do të kursejë kohë dhe do ta bëjë administratën më të ndershme, sepse çdo procedurë do të jetë e regjistruar dhe e qasshme për të gjithë”, u shpreh ai në një përgjigje për redaksinë.

Plani SMART parashikon publikimin e buxheteve, shpenzimeve dhe projekteve në platforma publike ku qytetarët mund t’i shohin me një klikim. Kjo do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe do të forcojë besimin mes komunës dhe qytetarëve.

Për herë të parë, Suhareka do të ketë platforma digjitale ku secili mund të japë ide, të propozojë projekte dhe të votojë për prioritetet e komunës. “Qeverisja moderne do të thotë që qytetarët të jenë pjesë e saj çdo ditë, jo vetëm një herë në katër vjet,” theksoi Muharremaj.

Gjithashtu ky ndryshim do të shërbejë për ta bërë jetën më të lehtë. Qytetarët do të mund të raportojnë një problem nga telefoni, dhe komuna do të reagojë më shpejt se kurrë.

Bali Muharremaj, që kandidon me numrin 174, ka thënë se ky projekt është rruga drejt një Suhareke moderne dhe një komunë ku qytetarët ndihen të respektuar dhe të dëgjuar.
“Ky është premtimi im: katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e transformimit digjital. Administrata jonë do të jetë SMART, e shpejtë, transparente dhe e barabartë për të gjithë,” ka përfunduar ai.