Rreth 100 prokurorë të angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e sotme
Rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote sot u drejtohen kutive për zgjedhjet parlamentare.
Rreth 2 milionë shtetas të Republikës së Kosovës, me të drejtë vote, pritet që gjatë ditës së sotme t’u drejtohen kutive votuese për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Këto zgjedhje shënojnë herën e dytë brenda këtij viti që qytetarët e Kosovës votojnë për përbërjen e legjislativit, në një proces që pritet të përcillet me masa të shtuara të monitorimit institucional.
Në kuadër të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të jenë të angazhuar gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.
Sipas njoftimit zyrtar, prokurorët do të jenë të shpërndarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të qëndrojnë në kujdestari deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme ligjore që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë pranë prokurorive kompetente çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.
Institucionet përgjegjëse kanë theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe të integritetit të procesit zgjedhor, duke u bërë thirrje të gjithë akterëve që të kontribuojnë në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike.