PZAP hedh poshtë ankesën e kandidatit të LVV-Suharekë për parregullsi gjatë numërimit të votave në Studençan
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur si të palejuar (pasafatshme) ankesën e kandidatit për asamble komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Suharekë, Arsim Muqa, e cila kishte të bënte me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.
Vendimi është marrë nga paneli i përbërë nga gjyqtarët Kymete Kicaj (kryesuese), Arsim Hamzaj dhe Skender Çoçaj, në seancën e datës 22 tetor 2025.
Në ankesën e dorëzuar më 19 tetor 2025, kandidati i LVV-së kishte pretenduar se më 18 tetor, gjatë numërimit të votave për kandidatët e kuvendit komunal në Suharekë, kishte vërejtur mospërputhje ndërmjet numrit të votave të paraqitura online dhe rezultateve përfundimtare, konkretisht në Qendrën e Votimit nr. 2418 – SHFMU “Kongresi i Manastirit” në Studençan.
Muqa kishte kërkuar rinumërim total të votave të kandidatëve të Vetëvendosjes në Suharekë, duke pretenduar se kishte pasur manipulime ose gabime gjatë procesimit të të dhënave në sistemin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në përgjigjen e saj, KQZ ka sqaruar se qendra e votimit në fjalë është futur në sistem më 15 tetor 2025, me transparencë të plotë dhe në prani të vëzhguesve, dhe se formularët fizikë tregojnë se kandidati në fjalë ka 0 vota të evidentuara, siç figuron edhe në rezultatet zyrtare.
Pas shqyrtimit të dokumenteve dhe pretendimeve, PZAP ka konstatuar se ankesa është dorëzuar pas afatit ligjor prej 48 orësh nga ndodhja e supozuar e parregullsisë, sipas nenit 119 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Nr. 01/2025 për procedurat e parashtrimit të ankesave.
“Ankesa është dorëzuar më 19.10.2025, ndërsa parregullsia e pretenduar ka ndodhur më 16.10.2025, prandaj konsiderohet e pasafatshme”, thuhet në vendimin e PZAP-it.
Në përfundim, paneli ka vendosur që ankesa e kandidatit Arsim Muqa nga Lëvizja Vetëvendosje të hidhet si e palejuar, duke theksuar se nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme që do të mbështesnin pretendimet e ngritura.