PDK e LVV në KQZ sërish nuk mund pajtohen për qendrat e votimit jashtë Kosovës

26.11.2025

Shqyrtimi dhe miratimi i Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe numrit maksimal të votuesve për vendvotim, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, ishte temë e një debati të nxehtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, kërkoi që të gjitha qendrat e votimit jashtë vendit të konsiderohen si njësi e tërësishme dhe të mos ndahen pjesërisht. Ai argumentoi se caktimi i qendrave të votimit ka për qëllim përfshirjen më të madhe të qytetarëve, duke marrë si shembull Frankfurtin ku janë vendosur 2,000 vendvotime, ndërsa në praktikë kanë votuar rreth 1,650 qytetarë.

“Disa adresa janë refuzuar pa arsyetim të bazuar, ndërkohë që po flitet për mbrojtjen e integritetit të procesit. Nuk mund t’ua pamundësoni qytetarëve të votojnë duke mbyllur qendrat që i plotësojnë kriteret teknike”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, akuzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme për tentim ndërhyrjeje në procesin e votimit për diasporën. Ai përmendi përvojat e zgjedhjeve të kaluara, duke thënë se MPJD ka tentuar të hapë qendra jashtë vendimeve të KQZ-së dhe ka shkelur ligjin.

“Kemi vendime të Gjykatës Supreme dhe PZAP-it që e mbrojnë të drejtën e qytetarëve për votim në hapësirat diplomatike. Qendrat jashtë këtyre hapësirave janë shkelje e ligjit,” tha Gashi.

Por këtë reagim e kundërshtoi anëtari tjetër i LVV-së, Sami Kurteshi, i cili theksoi se vendimet e Gjykatës Supreme dhe PZAP-it nuk e kanë ndaluar procesin, por kanë vlerësuar se vendimi i KQZ-së ishte i rregullt. Ai gjithashtu u ndal tek kostot e hapjes së qendrave të votimit, duke thënë se shuma e 90,000 eurove për hapësira shtesë është e drejtë, ndërsa vetëm një qendër ka pagesë 5,600 euro për dy ditë. Kurteshi theksoi se procesi i shpërndarjes së fletëvotimeve të shtypura është i domosdoshëm dhe se ofrimi i mundësisë për të votuar jashtë vendit është i pamundur të pengohet.

Debati në KQZ reflektuar tensionet midis nevojës për qasje më të lehtë të diasporës dhe kërkesave për respektimin e ligjit dhe procedurave teknike. Sipas raportimeve, procesi i vendosjes së qendrave të votimit jashtë Kosovës pritet të përfundojë brenda ditëve në vijim, me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.