Numërimi i 19 kutive nga 87, Visar Kuqi më i votuari me 314 vota
Në qendrën e numërimit në Suharekë, pas përfundimit të 19 kutive nga gjithsej 87, që përbën rreth 21,84% të numërimit total, pa përfshirë ende votat me kusht dhe ato të diasporës, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Visar Kuqi, del të jetë më i votuari deri më tani.
Sipas të dhënave preliminare nga ky proces, Kuqi ka grumbulluar 314 vota, duke kryesuar bindshëm garën për Asamble Komunale. Pas tij renditet Astrit Salihu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili deri në këtë fazë ka marrë 201 vota.
Procesi i numërimit në Suharekë po vazhdon me ritëm të rregullt në qendrën e numërimit, ku janë angazhuar dhjetë tavolina me nga katër komisionerë dhe me praninë e vëzhguesve të subjekteve politike.
Rezultatet e deritanishme janë vetëm pjesë e parë e procesit të gjatë të verifikimit dhe pritet që me përfshirjen e votave të mbetura — përfshirë ato të diasporës dhe me kusht — mund të ketë ndryshime në renditjen përfundimtare të kandidatëve.