Me numrin 91, Kolgeci premton të jetë zëri i banorëve të Nishorit, Kasterrcit dhe Breshancës

12.01.2025

Kandidati për deputet i LDK-së, Selman Kolgeci, ka nisur fushatën elektorale me një takim të drejtpërdrejt me banorët e fshatrave Nishor, Kasterrc dhe Breshanc.

Gjatë këtij takimi, Kolgeci ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet dhe nevojat e banorëve të këtyre zonave rurale, duke u zotuar se do të punojë për përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen e bujqësisë dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.

“Me angazhim dhe pasion, ne jemi të vendosur të sjellim ndryshime pozitive për këtë zonë”, ka thënë Kolgeci, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin për të identifikuar dhe zgjidhur problemet e tyre.

Gjatë fjalimit të tij, Kolgeci ka nderuar heronjtë e luftës që kanë dalë nga këto fshatra, duke i konsideruar ata si simbol të krenarisë kombëtare dhe të sakrificës për liri. Ai ka theksuar se të gjithë duhet të inspirohen nga guximi dhe vendosmëria e këtyre heronjve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin.

“Fjalët e mia mund të duken të zbehta para asaj që kanë arritur ata që kanë dhënë gjithçka për këtë vend”, ka thënë Kolgeci, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e veteranëve të luftës.

Në fund të takimit, Kolgeci ka falënderuar banorët për mikpritjen dhe diskutimet konstruktive, duke theksuar se zëri i tyre është thelbësor për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Suharekën dhe Kosovën.