Manxhuka: Kemi thyer mitet e 20 viteve të fundit, synojmë 500 mijë vota

17.12.2024

Zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetevendosje, Arlind Manxhuka, ka bërë një analizë të gjatë për arritjet e qeverisë së udhëhequr nga partia që ai përfaqëson në katër vitet e fundit dhe ka përcaktuar qëllimet e ardhshme.

Në një postim në rrjetet sociale, Manxhuka ka theksuar se qeveria e VV-së ka arritur të thyejë disa nga mitet më të mëdha që kanë dominuar politikën kosovare në dy dekada.

“Veriu më nuk është më dhuratë e Rankoviqit. Dialogu nuk është më pazar. Ekonomia nuk është më plaçkë. Buxheti nuk është për oligarkë. Politika nuk është sinonim i korrupsionit. Investimi huaj nuk është më haraç. Na nuk jem si Ata”, ka shkruar Manxhuka.

Sipas tij, këto arritje janë rezultat i një pune të palodhshme për të ndryshuar mentalitetin politik dhe për të vendosur një qeverisje të bazuar në parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies.

“Të gjitha këto mite të 20 vjeçarit i kemi thyer për 4 vite. Andaj, 500K vota i synojmë jo vetëm për ta lënë mbrapa mentalitetin 20 vjeçar, por për ta harruar përfundimisht atë dhe për të mos i lënë asnjë grimcë mundësie që kthehet ai mentalitet në vendin tonë. Vazhdojmë, përpara!”, ka shtuar ai.