Arlind Manxhuka emërohet Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nxjerrë vendim për emërimin e Arlind Manxhuka në pozitën e Zëdhënësit të Qeverisë. Sipas vendimit zyrtar, Manxhuka do ta ushtrojë këtë funksion paralelisht me detyrën e Këshilltarit Politik të Kryeministrit.
Foto: Ilustrim
Në vendim thuhet se detyrat dhe përgjegjësitë e Zëdhënësit të Qeverisë janë të përcaktuara me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa ai mund të ngarkohet edhe me detyra shtesë sipas nevojës nga Kryeministri.
Po ashtu, theksohet se marrëdhënia e punësimit të Zëdhënësit të Qeverisë përfundon me mbarimin e mandatit të Kryeministrit, nëse emërimi nuk ndërpritet më herët.
Manxhuka është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Kryeministri.
