Manxhuka: Ka ende punëtorë që nëse sot takohen me kryeministrin Kurti, nesër janë të papunë
Në një postim të fundit në rrjetet sociale, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka ngritur pyetjen e thellë: A ka të drejtë një punëdhënës të diktojë se çfarë kafe të pijë një punëtor, cilin parti politik të përkrahë, apo me cilin dyshek të flenë?
Manxhuka thekson se kontrata e punës duhet të rregullojë vetëm marrëdhënien punë-shërbim, dhe se punëdhënësit nuk kanë të drejtë të shantazhojnë punëtorët për të ndikuar në jetën e tyre private. Ai argumenton se këto praktika janë të papranueshme dhe se shkelin liritë individuale të çdo qytetari.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes gjithashtu kritikon ashpër oligarkët, duke i akuzuar për pasurim të padrejtë dhe për shfrytëzim të punëtorëve. Ai bën thirrje për një luftë kundër korrupsionit dhe për një shtet që të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.
“Djersa e punës suaj ju takon juve. Kontratat tuaja të punës janë kontraktuale për marrëdhënien punë-shërbim. Punoni që të paguheni. Paguheni për punën që e bëni. Marrëdhënia e punës përfundon aty kur përfundohet puna. Me përfundimin e orarit të punës. Nënshkrimi i kontratës nuk nënkupton nënshkrimin e haraçit mbi jetën tuaj. Shantazhimi mbi ju se çfarë kafe të pini, në cilën kafiteri të uleni, cilin qumësht ta konsumoni, cilin kanal televiziv ta shikoni, cilin miell ta përdorni, në çfarë dyshekë të fleni, e cilin subjet politik ta përkrahni, është i papranueshëm. Mos lejoni këtë kufizim në lirinë tuaj. Djersa juaj ju takon juve. Është e drejta juaj të zgjedhni jetën që doni të jetoni, pa presionin se nesër mund të largoheni nga puna.
Thanë se Kurti po i rrezikon familjet e të punësuarve pasi që po i sulmon oligarkët. Kurti nuk po i sulmon duart e punëtorit e familjen e tyre, vetëm po i apostrofon ata që u pasuruan në kurriz të parasë publike e me mundin e punëtorëve. Më e pakta që mund të bëjnë është që mos fshihen prapa punëtorëve, le të dalin në ballë vetë, sepse ballafaqimin e kemi vetëm me ta, direkt. Paramendoni, ka ende punëtorë që nëse sot takohen me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, nesër janë të papunë. Deri këtu arrin pabesia dhe vogëlsia e këtyre njerëzve të pushtetshëm por shpirtngushtë. Por, ky pushtet po tkurret dita-ditës, pasi që punëtorët e shteti janë së bashku, krah për krah, në luftimin e shkeljes së të drejtave, në mbrojtjen e pasurisë së përbashkët publike, në barazinë e të gjithëve pavarësisht statusit punëtor apo shef, në një shtet gjithsesi më të mirë për punëtorin.” ka shkruar Manxhuka.