LDK mban tubim në Shtime, premton investime dhe zhvillim

25.01.2025

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një tubim elektoral në komunën e Shtimes, ku kandidati i partisë për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar platformën e tij qeverisëse dhe ka premtuar investime të mëdha në këtë komunë.

Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku u ka thënë qytetarëve të Shtimes se është i përkushtuar t’i përmirësojë kushtet e tyre të jetesës dhe të sjellë zhvillim ekonomik në rajon. Një nga premtimet kryesore të tij ka qenë kyçja e komunës së Shtimes në autostradën “Ibrahim Rugova”, një projekt që sipas tij do të ndikojë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

“Kërkesat e juaja do të jenë prioritet për mua dhe për gjithë qeverinë e ardhshme të Republikës. Do të keni një kryeministër që i kupton hallet e juaja, që i shikon çmimet tuaja”, ka thënë Abdixhiku.

Kandidati për deputet nga Komuna e Shtimes, Kastriot Shabani, ka theksuar se me Lumir Abdixhikun si kryeministër, Shtime do të përjetojë një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm. “Të gjithë ne kemi një vizion të përbashkët për të zhvilluar komunën tonë, ku çdo qytetar ka të drejtë për një të ardhme të sigurtë”, ka thënë Shabani.

Një çështje tjetër e rëndësishme që u trajtua në tubim ishte ajo e të rinjve. Pjesëmarrësit u informuan se nëse LDK do të fitojë zgjedhjet, do të krijohen kushte më të mira për të rinjtë, me qëllim që ata të mos detyrohen të emigrojnë.