Kurti në Gjilan: Aleancat perëndimore janë shinat e binarëve të ardhmërisë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, në një tubim elektoral në Gjilan, ka prezantuar programin e partisë së tij për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Duke e cilësuar Gjilanin si “kryeqytet të Anamoravës” dhe “djep të rezistencës kombëtare për çlirim”, Kurti ka theksuar rëndësinë e këtij qyteti për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Uniteti kombëtar, politik dhe institucional dhe aleanca e vlerave demokratike e perëndimore janë shinat e binarëve të ardhmërisë së përbashkët”, ka deklaruar Kurti. Ai ka shtuar se gjatë viteve të qeverisjes së tij, Lëvizja Vetëvendosje ka luftuar korrupsionin dhe ka përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.
Kurti ka theksuar investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke nënvizuar se Kosova do të pajiset me helikopterë amerikanë për t’u mbrojtur nga çdo rrezik. “Siguria e vendit është prioritet për ne”, ka thënë ai.
Për sa i përket infrastrukturës, Kurti ka folur për projektin e Digës së Firajës, e cila pritet të furnizojë me ujë gjysmë milioni banorë, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të rëndësishme për rajonin. Gjithashtu, ai ka riafirmuar angazhimin e qeverisë për përfundimin e autostradës së Gjilanit, pavarësisht pengesave.
Kurti ka përmenur edhe disa nga arritjet e qeverisë së tij, siç janë heqja e vizave, tabelat RKS, zgjidhja e çështjes së rrymës dhe heqja e fleteve të bardha për hyrje në Serbi.
Duke e konsideruar Gjilanin si një qytet strategjik për zhvillimin e Kosovës, Kurti ka premtuar se qeveria do të vazhdojë të investojë në këtë rajon, duke krijuar vende të punës dhe duke përmirësuar infrastrukturën.