Në Prizrenin e Lidhjes, kryeministri Kurti prezanton arritjet dhe zotimet e tij
Në një mbrëmje të veçantë në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, kryeministri i Kosovës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, u paraqit para qytetarëve të Prizrenit.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi lidhjen e fortë që ka me këtë qytet, duke e përshkruar atë si një vend ku dashuria për atdheun dhe për njerëzit bashkohet me bukuritë e natyrës.
“Në jug të Kosovës, në Prizrenin e Lidhjes, të shatërvanit nga burimi i pashterrshëm i ujit, sikurse dashuria jonë për këtë qytet e për Republikën. Sonte ishim në Shtëpinë e Kulturës ‘Xhemajli Berisha’ për të prezantuar para qytetarëve progresin në trashëgimi kulturore, shëndetësi, punësim, mirëqenie e sundim të ligjit”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Kurti i kujtoi qytetarëve arritjet e qeverisë së tij në fusha të ndryshme, duke theksuar investimet në trashëgiminë kulturore, përmirësimet në sistemin shëndetësor, rritjen e vendeve të punës dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Duke u fokusuar në të ardhmen, Kurti njoftoi se do të kthehet në Prizren më 17 janar, ku në Sallën e Sporteve “Sezai Surroi” do të paraqesë planet e tij të detajuara për mandatin e ardhshëm. “Në Prizren kthehemi sot një javë, më 17 janar, në Sallën e Sporteve ‘Sezai Surroi’ për dhënë zotimet dhe paraqitur planet tona për mandatin e ardhshëm”, shtoi ai.