Jehona Rrafshi-Lumi rikandidon për deputete: “Do të jem zëri juaj më i dinjitetshëm”
Jehona Rrafshi-Lumi, një figurë e njohur politike në Suharekë, ka njoftuar zyrtarisht se do të jetë përsëri kandidate për deputete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke përfaqësuar partinë NISMA.
Në një postim në rrjetet sociale, Rrafshi-Lumi u shpreh e entuziasmuar për këtë mundësi dhe e premtoi elektoratit se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të mirën e komunitetit.
“Kam nderin dhe kënaqësinë të ndajë me ju lajmin se prap do të jem kandidate për deputete. Një rrugë e re për mu, një rrugë me plot vizion dhe me shumë përkushtim e bën këtë që unë të jem edhe më e përkushtuar ndaj kryetarit Limaj dhe ndaj çdo detyre dhe sfide që do të më përcjell gjatë këtij rrugëtimi,” shkroi Rrafshi-Lumi.
Ajo theksoi se besimi i qytetarëve dhe përkushtimi i saj ndaj sfidave janë burimi i frymëzimit për të dhënë më të mirën për të gjithë brezat e ardhshëm.
“Kryetari Limaj, njeriu i sfidave, njeriu i cili dha shumë para dhe pas luftës, njeriu i cili bëri projektet më të mëdha për Kosovën nuk mund të mos jetë inspirimi im më i mirë për të vazhduar këtë rrugëtim,” shtoi Rrafshi-Lumi.
Kandidatura e Rrafshi-Lumit vjen në një kohë kur NISMA po përpiqet të konsolidojë pozicionin e saj në skenën politike të Kosovës. Rrafshi-Lumi, me përvojën e saj dhe lidhjet e forta në komunitet, pritet të jetë një aset i rëndësishëm për partinë në zgjedhjet e ardhshme.