Enver Shabani: Me qytetarët e Lagjes Shala dhe Zjarrfikësit për një Suharekë më të fortë
Sot, kandidati për Asamblenë Komunale nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Enver Shabani, ka zhvilluar një takim të ngrohtë e frytdhënës me banorët e Lagjes Shala dhe Zjarrfikësit në Suharekë.
Në këtë bashkëbisedim të hapur e të sinqertë, Shabani ndau me qytetarët vizionin e tij për zhvillimin e komunës, duke theksuar përkushtimin që të jetë zëri i njerëzve të zakonshëm në Kuvendin Komunal. Ai theksoi se mbështetja që mori nga banorët i jep edhe më shumë forcë e motivim për të vazhduar me vendosmëri rrugën e tij politike.
“Përkrahja që mora nga qytetarët më jep forcë dhe motivim të vazhdoj edhe më fuqishëm. Së bashku me Kryetarin Bali Muharremaj, jemi të përkushtuar ta çojmë përpara Suharekën tonë”, – ka deklaruar Shabani.
Me numrin 2 në listën e AAK-së, Enver Shabani po e synon ulësen në Asamblenë Komunale për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes lokale dhe për të kontribuar në projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me numrin 174, po hyn në zgjedhjet komunale në Suharekë me synimin për të vazhduar zhvillimin e komunës dhe për të forcuar bashkëpunimin me qytetarët në çdo lagje e fshat.