Driton Selmanaj heq dorë nga pozita e asambleistit në Prizren

04.12.2025

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar sot zëvendësimin e tre asamblistëve në Kuvendet Komunale të Prizrenit, Ranillugut dhe Parteshit, duke formalizuar ndryshimet që kanë ardhur pas lëvizjeve të fundit politike dhe përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në Prizren, vendimi prek ish-kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës, Driton Selmanaj, i cili kishte fituar një ulëse në kuvendin komunal të qytetit. Selmanaj do të zëvendësohet nga Astrit Temaj, po ashtu anëtar i LDK-së, i cili pritet të marrë detyrën në seancat e ardhshme të kuvendit.

KQZ në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme që lidhen me procesin organizativ dhe teknik të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Institucioni ka miratuar procedurën e votimit dhe numërimit në vendvotim, si dhe kurrikulën dhe programin e trajnimit për trupat menaxhues të zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor. Gjithashtu është aprovuar edhe plani i sigurisë që do të zbatohet gjatë procesit zgjedhor.

Zyrtarët e KQZ-së kanë theksuar se vendimet e sotme janë pjesë e fazës përgatitore për të siguruar një proces zgjedhor të rregullt, transparent dhe efikas. Përmes trajnimeve dhe standardizimit të procedurave, synohet që administrimi i zgjedhjeve të zhvillohet sipas standardeve më të larta dhe të jetë i mbrojtur nga çdo parregullsi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit do të jenë ndër testet më të rëndësishme institucionale për vendin në fund të këtij viti, ndërsa KQZ po punon me intensitet të shtuar për të finalizuar aspektet logjistike, teknike dhe të sigurisë, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet një proces i qetë dhe i besueshëm.