Balotazh në 18 komuna, 80 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës së lirë
Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave që po mbahen sot në 18 komuna të Kosovës, Prokuroria e Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit zyrtar, në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor. Qëllimi i këtij angazhimi është që të sigurohet reagim i menjëhershëm dhe procedim ligjor për çdo parregullsi të mundshme gjatë votimit.
Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në komunat ku prokuroria nuk ka objekt, ata janë vendosur në stacione policore, në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit e Policisë së Kosovës, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, është duke mbikëqyrur zbatimin e detyrave të të gjithë koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar në terren dhe prokurorit me detyrë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në fund, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave të ndryshme që të raportojnë menjëherë tek prokuroritë përkatëse çdo rast të dyshuar për keqpërdorim apo manipulim të votës, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e duhura ligjore.