Bali Muharremaj falënderon qytetarët e Suharekës për mandatin e tretë

10.11.2025

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen që i dhanë edhe për një mandat të ri, të tretin me radhë, në krye të komunës.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Muharremaj ka shprehur mirënjohjen e tij për çdo qytetar që, siç tha ai, “e ka vlerësuar punën dhe përkushtimin” gjatë dy mandateve të kaluara.

“Faleminderit të gjithëve për besimin dhe mbështetjen tuaj. Jam i nderuar që për herë të tretë më keni dhënë përgjegjësinë për të udhëhequr Suharekën. Siç kam premtuar, sot në orën 08:00 kam filluar punën për mandatin e ri”, ka deklaruar Muharremaj.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim dhe transparencë, ashtu si në tetë vitet e kaluara, duke shtuar se synon që katër vitet e ardhshme të jenë në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të komunës.

“Do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtin përkushtim për të mirën e secilit qytetar. Ftoj të gjitha subjektet politike që të bashkëpunojmë për interesin e përbashkët të Suharekës”, ka shtuar ai.

Kryetari Muharremaj është rizgjedhur për mandatin e tretë, pas një fushate në të cilën kishte premtuar vazhdimësi në projektet infrastrukturore dhe forcim të transparencës komunale.