Ambasadori britanik takohet me Kurtin, diskutojnë për zgjedhjet – përmendet edhe dialogu

17.12.2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, si dhe për dialogun Kosovë–Serbi dhe proceset integruese evropiane.

Takimi është konfirmuar edhe nga vetë ambasadori Hargreaves, i cili përmes një postimi në Facebook ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe demokratik, si dhe formimit të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

“Sot takova kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Diskutuam për fushatën zgjedhore dhe shpresat për një proces zgjedhor të qetë që mundëson formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kjo është thelbësore për përparimin urgjent që duhet në fusha të tilla si buxheti shtetëror”, ka shkruar Hargreaves.

Ambasadori britanik ka theksuar gjithashtu nevojën që qeveria e ardhshme të rifillojë progresin në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të avancojë integrimin evropian të Kosovës. Sipas tij, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe marrjes së masave aktive për integrimin e mëtejshëm të komuniteteve joshumicë në vend.

Në fund të reagimit të tij, Hargreaves ka shprehur shpresën për thellimin e partneritetit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, duke theksuar bashkëpunimin me qeverinë e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 28 dhjetor, ndërsa fushata elektorale tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare.