Abdixhiku në Obiliq: Rritje pagash, ngrohje qendrore dhe mirëqenie për të gjithë
Gjatë një tubimi të mbajtur me banorët e Obiliqit, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar rritje të pagave për punonjësit e sektorit publik dhe mbështetje për ngrohjen qendrore, me prioritet për qytetarët e Obiliqit.
Abdixhiku, i bindur për fitore, ka premtuar se që në javën e parë të qeverisjes së tij do të ketë rritje pagash dhe mirëqenie për të gjithë.
“Mësuesit, mjekët, policët, secili i punësuar në sektorin publik do të marrë nga 200 euro më shumë në pagën e tij,” ka thënë Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka premtuar mbështetje qeveritare për ngrohjen qendrore, duke e konsideruar këtë një prioritet për qytetarët e Obiliqit.
“120 milionë euro për rivitalizimin e Kosovës B, këtë mbështetje e garantoj unë, para jush, para popullit dhe para Zotit,” ka shtuar Abdixhiku.
Përveç këtyre, Abdixhiku ka premtuar edhe rritje të pensioneve, barna falas, mbështetje për studentët dhe arsim cilësor.