Zëri i viktimave të dhunës seksuale, kandidate për deputete nga LVV
Asnjë grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë kurrë nuk kishte folur publikisht – deri në vitin 2019, kur Vasfije Krasniqi, një kosovare që jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara kishte postuar në faqen e saj në Facebook një letër të hapur për njeriun që e përdhunoi atë në vitin 1999. […]
Asnjë grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë kurrë nuk kishte folur publikisht – deri në vitin 2019, kur Vasfije Krasniqi, një kosovare që jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara kishte postuar në faqen e saj në Facebook një letër të hapur për njeriun që e përdhunoi atë në vitin 1999.
Gruaja e parë e cila foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Vasfije Krasniqi është pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Lajmin e ka konfirmuar vëllau i saj, Nafi Krasniqi për Kosovapress.
“Po, Vasfija do të jetë kandidate për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo do të ketë numrin 4. Por nuk aderon as në partinë e Albin Kurtit, e as do të jetë me Vjosa Osmanin. Ajo do të mbështes kauzat e saj për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, ka thënë ai.
Ajo ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj më 13 prill 1999 nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë. Në letrën e saj, ajo kujton se si ai i kishte kërkuar që ta vriste atë në vend. Fillon: “Ti më lëndon. Isha 16 vjeç dhe nuk e kisha përjetuar jetën. Isha e pafajshme. Ti ma shkatërrove dhe ma vodhe rininë time pa t’u trembur syri”.
Tashmë Krasniqi pati thënë se ajo e shkroi letrën e saj për t’i fuqizuar gratë e tjera.
“Nuk më vjen turp dhe nuk kam frikë. Unë do ta bëj pjesën time. Të gjithë e dinin se një polic serb më mori. Të gjithë e dinin se një vajzë 16-vjeçare nuk do merrej për deklaratë nga forcat policore serbe”, kishte deklaruar ajo.