Një fotografi, mijëra kujtime të dhimbshme për Vasfije Krasniqin
Vasfije Krasniqi ka ndarë një rrëfim emocional në rrjetet sociale, duke treguar se pas shumë vitesh është kthyer në një nga vendet ku, si 16-vjeçare, përjetoi dhunën që ia ndryshoi jetën përgjithmonë.
Ajo shkroi se shtëpia e parë ku kishte përjetuar tmerrin nuk ekziston më, por vendi i dytë ende qëndron. Krasniqi tha se u afrua deri te shtëpia me dëshirën për të hyrë në dhomën ku kishte ndodhur krimi, por nuk arriti ta bëjë këtë.
“Për dikë tjetër mund të jetë thjesht një vend. Për mua është një copë e errët e historisë sime. Një vend ku më morën pafajësinë, sigurinë dhe një pjesë të shpirtit tim”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, vizita nuk ishte për të kërkuar mëshirë, por për t’u përballur me një pjesë të dhimbshme të së kaluarës.
Krasniqi theksoi se, megjithëse vendi ende ekziston, ajo vazhdon të jetojë me plagët që i ka lënë ajo ngjarje.“Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer”, përfundon rrëfimi i saj prekës.

