Pacientët e hospitalizuar me COVID-19 nuk do të mundë të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit

27.01.2021

Pacientët me COVID-19 pozitivë që janë të hospitalizuar, nuk do të mundë të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo për shkak se KQZ nuk e ka paraparë që ekipet mobile t’i dërgojnë nëpër klinika ku pacientët po trajtohen, por vetëm në adresa të shtëpive të tyre. Personat e infektuar me COVID-19, nuk do të […]

Pacientët e hospitalizuar me COVID-19 nuk do të mundë të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit Foto: Ilustrim

Pacientët me COVID-19 pozitivë që janë të hospitalizuar, nuk do të mundë të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo për shkak se KQZ nuk e ka paraparë që ekipet mobile t’i dërgojnë nëpër klinika ku pacientët po trajtohen, por vetëm në adresa të shtëpive të tyre.

Personat e infektuar me COVID-19, nuk do të mund të votojnë në qendra të votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të angazhojë 200 ekipe mobile,  të cilat do të shkojnë në adresat e këtyre votuesve. Por jo edhe personat e hospitalizuar do ta kenë këtë të drejtë. Atyre do t’u mohohet e drejta e votës.

Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tha se për  personat e hospitalizuar nuk është paraparë votimi.

 ‘‘Ekipet mobile të KQZ do të dërgohen vetëm në adresa të qytetarëve të  cilët janë  të infektuar me COVID-19 dhe qëndrojnë në karantinë shtëpiake. Në ditën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 38 komunat e Republikës së Kosovës do të angazhohet me 200 ekipe mobile, të cilat do të shkojnë në adresat e votuesve të cilët janë të infektuar me COVID -19 dhe që nuk mund të shkojnë në vendvotimet e tyre për shkak të masave kufizuese. Pasi të pranojmë listat zyrtare të qytetarëve, ne do t’i kontaktojmë përmes telefonit dhe do t’ua bëjmë të ditur shërbimin që e ofron KQZ, derisa më pas është në vullnetin e tyre t’i pranojnë ose jo ekipet mobile në ditën e zgjedhjeve’’, deklaroi Elezi.

Aktualisht COVID pozitivë të hospitalizuar  në gjithë Kosovën janë rreth 550 pacientë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se prej këtij numri të pacientëve tash për tash 26 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

 ‘’Gjithsej 26 janë në gjendje të rëndë aktualisht . E kemi të vështirë  të parashikojmë sa pacientë do të jenë ditën e votimit dhe në çfarë gjendje shëndetësore do të jenë. Por gjendja tash për tash është kjo’’, tha Krasniqi.

Megjithëkëtë anëtari i bordit këshillëdhënës, njëherësh epidemiologu Lul Raka, tha për Radio Kosovën se të gjithë pacientët me COVID-19 që janë të aftë psiko- fizikisht të votojnë,  kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, pavarësisht a janë në shtëpi a spital.

 ‘Për sa i përket pacientëve COVID pozitivë që janë në izolim shtëpiak, duhet të votojnë dhe ka qenë propozim nga bordi këshillëdhënës edhe për zgjedhjet lokale në Podujevë dhe Mitrovicë dhe nuk shoh arsye pse të mos zbatohet prapë edhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Ndërkaq për sa i përket pacientëve të hospitalizuar, në disa shtete të Evropës këta pacientë kanë votuar me ndihmën e ekipeve mjekësore,  e në disa shtete të tjera si Kroacia për shembull, ka organizuar votimin në atë mënyrë që kanë votuar në qendra të veçanta të votimit që janë përshtatur në përputhje me kërkesat e sigurisë shëndetësore dhe mbrojtjes së pjesëmarrësve të tjerë në zgjedhje.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se sa do të jetë numri i pacientëve të hospitalizuar  në ditën e zgjedhjeve, me 14 shkurt,  dhe a do t’u mundësohet edhe këtyre personave të votojnë.