Osmani e Kurti: Diaspora luan rol të rëndësishëm, këto zgjedhje janë referendum
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, njëherësh kandidate për këtë post nga lista e kësaj partie, Vjosa Osmani kanë mbajtur sot një bashkëbisedim online me temën “Përfshirja e mërgatës në demokraci, ekonomi dhe shoqëri, në Kosovë dhe Zvicër”. Me këtë rast, Kurti duke vlerësuar lart […]
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, njëherësh kandidate për këtë post nga lista e kësaj partie, Vjosa Osmani kanë mbajtur sot një bashkëbisedim online me temën “Përfshirja e mërgatës në demokraci, ekonomi dhe shoqëri, në Kosovë dhe Zvicër”.
Me këtë rast, Kurti duke vlerësuar lart kontributin e diasporës në çlirimin e vendit, ka thënë se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të fillojë dekada e tretë në aspektin politik, e cila do të shërbejë në luftën kundër korrupsionit, por do të jetë edhe për punësimin e të rinjve dhe grave, por edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Tani kur po hyjmë në fushatën elektorale për 14 shkurt, e cila është një ditë shumë e rëndësishme për popullin e Kosovës, dhe besoj se do të fillojë dekada e tretë e këtij shekulli në aspektin politik dhe ekonomik. Kështu që pas dekadës së parë e cila ishte ajo e çlirimit dhe rindërtimit të vendit, ne patëm dekadën e dytë e cila ishte ajo e pavarësisë dhe njohjet që morëm. Tani ne duhet të kalojmë në dekadën e tretë, e cila duhet të jetë ajo e drejtësisë dhe zhvillimit, që do të thotë luftë kundër korrupsionit dhe punësimi i njerëzve, në veçanti i të rinjve dhe grave, dhe zhvillimi ekonomik i vendit tonë. Ne duam që paratë e diasporës sonë të bëhen një faktor ekonomik e jo të mbesin të kufizuara vetëm në aspektin shoqëror, ku raporti i eksport-importit në Kosovë është 1 me 8, do të mbulohej pikërisht nga paratë që vijnë nga vëllezërit dhe motrat tona, veçanërisht nga Evropa Perëndimore, veçanërisht Zvicra dhe Gjermania”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës, planifikon që mësimdhënësit me të mirë të Kosovës t’i dërgojë në diasporë në mënyrë që edhe fëmijët në diasporë ta mësojnë më bukur gjuhën shqipe.
Ai tha se do të ketë lehtësim për diasporën, e cila në të ardhmen nuk do të ketë nevojë të votojë me postë, por t’u mundësohet të votojnë në ambasadat e Kosovës në shtetet përkatëse ku ata jetojnë dhe punojnë.
“Ne planifikojmë që gjatë mandatit tonë të dërgojmë mësimdhënësit e profesorët tanë më të mirë në diasporë, në mënyrë që fëmijët atje ta mësojnë gjuhën tonë të bukur shqipe. Ne duam ata që të integrohen, por jo të asimilohen. Gjëja tjetër që ne do të zbatonim është lehtësimi i mënyrës që diaspora jonë të marrë pjesë në jetën demokratike në Kosovë duke mos pasur nevojë të votojnë me postë ose të hipin në aeroplan e të paguajnë bileta të shtrenjta. Ne duam që t’ua mundësojmë të votojnë në ambasadat tona. Mendoj se do të ishte një ndihmë e madhe për ta, sepse në këtë mënyrë do të merrnin pjesë jo vetëm ekonomikisht siç bënë në të kaluarën me rindërtimin e vendit dhe tani duke ndihmuar familjet dhe miqtë e tyre, por edhe me zërin e tyre duke zgjedhur se kush duhet të drejtojë vendin. Unë besoj se sapo të kthehemi, një nga projektligjet e para që ne do të sponsorizojmë është saktësisht ndryshimi i ligjit në mënyrë që të lejojë diasporën tonë të votojë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 14 shkurtit, është thelbësore, po aq sa ishte edhe në zgjedhjet e kaluara. Ajo këto zgjedhje i quan referendum, pasi që do të përcaktohet fati i vendit, por edhe do të ishte pikë kthese për historinë e Kosovës.
“Është një kohë e rëndësishme edhe për pjesëmarrjen tuaj, ndërsa të gjithë e kuptojmë se kjo pjesëmarrje ka qenë thelbësore në zgjedhjet e kaluara, mendoj se është edhe më thelbësore tani. Një proces që janë thjesht zgjedhje, ne e quajtëm atë një referendum, sepse besojmë se nuk do të përcaktojmë fatin e politikanëve individualë, por më tepër do të përcaktojmë fatin e vendit ku ne jemi duke rritur fëmijët tanë dhe në të njëjtën kohë, ne jo vetëm që vendosim për individët, por në të vërtetë vendosim për temat. Ne të gjithë duhet ta kuptojmë se kjo është një pikë kthese e madhe në historinë tonë dhe votën tuaj, pasi kjo do të bëjë edhe një ndryshim më të madh”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se në këto zgjedhje, populli i Kosovës do të di të zgjedhë të drejtën nga e gabuara.
“Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve tanë, përfshirë diasporën tonë, jo vetëm në zgjedhje, por në të gjitha aspektet e jetës, rritë nivelin e barazisë, nivelin e angazhimit dhe kjo është kaq e rëndësishme jo vetëm me qytetarët që jetojnë këtu, por edhe për secilin anëtar të diasporës sonë, prandaj shpresoj që ne së bashku të kuptojmë se përmes këtyre zgjedhjeve ne bashkërisht vendosim për fatin tonë të përbashkët, dhe duke e pasur këtë në mendje në të njëjtën kohë e kuptojmë se ne gjithashtu vendosim jo vetëm se ku po e çojmë vendin tonë dhe institucionet tona politikisht, por edhe cilat janë vlerat që shoqëria jonë do të ruajë dhe mbrojë nëse duam t’i mësojmë fëmijët tanë dhe për këtë çështje, mësojmë studentët dhe anëtarët e tjerë të shoqërisë sonë të mbrojnë të drejtën dhe për të luftuar të gabuarën me çdo kusht. Unë mendoj se kjo është zgjedhja që ne duhet të bëjmë dhe unë kam shumë besim se populli i Kosovës si çdo herë në historinë tonë do të dijë të zgjedhë të drejtën nga e gabuara”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, në zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti synon postin e kryeministrit, ndërsa Vjosa Osmani synon postin e presidentes.