LVV: Kurti do të jetë bartës i listës, ditëve në vazhdim do të shpallim kandidaturën e tij për kryeministër

14.01.2021

Lëvizja Vetëvendosje është në proces të finalizimit të listës së kandidatëve për deputetë. Kështu ka thënë zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu. Kryeziu ka treguar se janë në proces të votimit të kandidaturave brenda organeve të LVV-së, pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme për kandidatë për deputetë. “Në fillim të javës kemi shpallë zgjedhjet e brendshme […]

LVV: Kurti do të jetë bartës i listës, ditëve në vazhdim do të shpallim kandidaturën e tij për kryeministër Foto: Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje është në proces të finalizimit të listës së kandidatëve për deputetë. Kështu ka thënë zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka treguar se janë në proces të votimit të kandidaturave brenda organeve të LVV-së, pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme për kandidatë për deputetë.

“Në fillim të javës kemi shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatë për deputetë. Tash jemi në proces të votimit të kandidaturave brenda organeve tona, përkatësisht Këshillet e Qendrave. Sipas Statutit të Lëvizjes Vetëvendosje të zgjedhurit nga Këshillet e Qendrave do të përbëjnë ½ e listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka shtuar se pjesa tjetër e listës do të plotësohet nga Kryesia dhe kryetari i Lëvizjes.

“Shumë shpejt, e gjithsesi para afatit të përcaktuar nga KQZ-ja, do të bëhet publike edhe lista e plotë e kandidatëve për deputetë”, tha Kryeziu.

I pyetur se a do të jetë bartës i listës kryetari i LVV-së, Albin Kurti, Kryeziu ka thënë se asgjë nuk ia mohon Kurtit që të kandidojë.

“Ne jemi brenda së drejtës sonë absolute që në listën e kandidatëve tanë për deputetë të përfshijmë kryetarin Kurti edhe anëtaren tonë të Kryesisë, znj. Haxhiu. Pavarësisht mjegullës së qëllimshme në debatin publik mbi pasojat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ai në fakt nuk përbën asnjë mohim të së drejtës për t’u zgjedhur, përkatësisht të kandidimit në listën zgjedhore të z. Kurti dhe znj. Haxhiu, për disa arsye. Së pari, sepse rastet e tyre nuk ishin objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese. Së dyti, sepse ata nuk kanë qenë të dënuar me burg ashtu që të tërhiqet paralelja me rastin e Etem Arifit, por kanë qenë të dënuar me kusht, pra dënim alternativ, për çka Kodi Penal nuk parashihte pasoja juridike”, u shpreh Kryeziu.

Zëdhënësi i LVV-së, më tej shtoi se standardi i Pasojave Juridike është parim i pacenuar juridik, dhe ai nuk mund të anulohet me asnjë vendim tjetër, përfshirë këtu edhe një vendim potencial të Gjykatës Kushtetuese.

“Prandaj, Këshilli i Përgjithshëm pritet mblidhet në ditët në vijim dhe kështu fillimisht të shpallet kandidatura e kryetarit Kurti për Kandidat për Kryeministër dhe pastaj edhe bartës i Listës së Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kryeziu.

Kujtojmë se të shtunën më 16 janar në orën 18:00 përfundon afati i aplikimit të partive politike për çertifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. /telegrafi/