Behramaj: Thaçi është gjithçka që Kurti do të dëshironte të ishte, por nuk mundet
Adil Behramaj, ish-këshilltar i Hashim Thaçit ka reaguar ndaj kreut të VV-së, Albin Kurti pasi që ky i fundit në një bashkëbisedim me ndërkombëtarë, është ankuar duke thënë se ish-presidenti Thaçi “e mendonte veten si mbret”. Me anë të një postimi në Facebook, Behramaj është shprehur se Thaçi sipas tij është gjithçka që Kurti do […]
Adil Behramaj, ish-këshilltar i Hashim Thaçit ka reaguar ndaj kreut të VV-së, Albin Kurti pasi që ky i fundit në një bashkëbisedim me ndërkombëtarë, është ankuar duke thënë se ish-presidenti Thaçi “e mendonte veten si mbret”.
Me anë të një postimi në Facebook, Behramaj është shprehur se Thaçi sipas tij është gjithçka që Kurti do të donte të ishte, por që një gjë të tillë nuk mund ta arrijë.
“Sa ka qeverisur Hashim Thaçi, Albin Kurti ka mundur të jetë vetëm një politikan embrional. Një miniaturë politike. U dashtë ai të shkonte, që ky të mund të vinte në pushtet!”, ka shkruar Behramaj.
Ai ka thënë se prej që Thaçi s’është më kryeministër në Kosovë ka pasur paralizë të vendimmarrjes e cila ia ka siguruar “shtratin” Kurtit të cilin ai e ka quajtur demagog me politika populiste.
Postimi i plotë:
Hashim Thaçi është gjithçka që Albin Kurti do të dëshironte të ishte, por nuk mundet. Tash ia paska nisur ta quaj edhe mbret. Sa ka qeverisur Hashim Thaçi, Albin Kurti ka mundur të jetë vetëm një politikan embrional. Një miniaturë politike. U dashtë ai të shkonte, që ky të mund të vinte në pushtet!
Prej kur Hashim Thaçi nuk është kryeministër, faktikisht ne kemi pasur paralizë të vendimmarrjes institucionale. Kjo ia ka siguruar “shtratin” e përsosur këtij demagogu, që vakumin e krijuar ta plotësonte me politika populiste. Për të edhe këto zgjedhje janë vetëm teatrale, sepse nga frika e daljes prej terrenit pjellor politik, sërish do të përpiqet të viktimizohet. As pushtetin nuk ka guxim ta marrë. Edhe politikë të jashtme, njëjtë sikurse sot, bën me inatet e tij të brendshme, sepse edhe duarlidhur i frikësohet Hashim Thaçit.
Albin Kurti i është gëzuar më së shumti aktakuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, sepse në të kundërtën edhe kushedi sa vjet do të sorollatej me gaz lotsjellës nëpër duar, duke i sulmuar institucionet, për të cilat asnjëherë nuk dha kontribut!.