Pandemia COVID-19 s’e shkurton fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 17 tetorit

21.08.2021

Ditëve të fundit në vendin tonë ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19, ku vetëm sot janë konfirmuar 2,250 raste të reja të infektimeve si dhe janë regjistruar katër viktima. Si shkak i rritjes së rasteve, autoritetet shëndetësore u detyruan të ndërmarrin disa masa kundër përhapjes së COVID-19, ku të mërkurën këto […]

Pandemia COVID-19 s’e shkurton fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 17 tetorit Foto: Ilustrim

Ditëve të fundit në vendin tonë ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19, ku vetëm sot janë konfirmuar 2,250 raste të reja të infektimeve si dhe janë regjistruar katër viktima.

Si shkak i rritjes së rasteve, autoritetet shëndetësore u detyruan të ndërmarrin disa masa kundër përhapjes së COVID-19, ku të mërkurën këto masa u miratuan nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa masat e miratuara nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, kanë hyrë në fuqi që nga dita e djeshme.

Ndërsa me këtë rritje enorme të rasteve të infektimeve dhe fushatën elektorale që na pret nga mesi i shtatorit ekziston frika se situata me pandeminë mund të përkeqësohet edhe më shumë se sa që është për momentin.

Ligji për zgjedhje e përcakton se në zgjedhje të rregullta periudha e fushatës zgjat 30 ditë.

Mirëpo, ekspertët dhe shoqatat e pacientëve apelojnë për fushatë me më pak se një muaj, por nga KQZ thonë se kjo është e pamundur dhe se vetëm presin rekomandimet e institucioneve shëndetësore për të respektuar masat për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë (FSShK), Xhemajl Selmani për KosovaPress ka theksuar se në këto zgjedhjet lokale duhet që të bëjnë përjashtime dhe se të mos ketë tubime me prani fizike.

Të njëjtën mendim e ndanë edhe Shoqata e Pacientëve të Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra ka thënë se parashikon rritje edhe më shumë të rasteve të reja me COVID-19 si dhe atyre të vdekjeve.

Por, ndryshe thonë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga ky institucion kanë bërë të ditur se një gjë e tillë është e pamundur për shkak se kjo rregullohet me Ligjin për zgjedhje lokale si dhe Ligjin për zgjedhje të përgjithshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaroi për KosovaPress se tashmë janë përcaktuar datat për mbajtjen e fushatës që nis më 16 shtator. Sipas tij, mbetet në dorën e institucioneve shëndetësore që të bëjnë rekomandimet se si duhet të zhvillohet fushata në mënyrë që të mos rrezikojë shëndetin publik.