Konjufca kërkon që të anulohet fushata zgjedhore ose të shtyhen zgjedhjet e 17 tetorit

07.09.2021

Rritja enorme e rasteve pozitive me COVID-19, ka bërë që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku t’i adresohet me një letër publike liderëve politikë në vend për të arritur një marrëveshje rreth fushatës për zgjedhjet lokale. Kërkesës së tij i janë përgjigjur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi, por jo edhe […]

Rritja enorme e rasteve pozitive me COVID-19, ka bërë që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku t’i adresohet me një letër publike liderëve politikë në vend për të arritur një marrëveshje rreth fushatës për zgjedhjet lokale.

Kërkesës së tij i janë përgjigjur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi, por jo edhe ai i LVV-së, Albin Kurti.

Abdixhiku kishte shkruar se: “Me vullnet të plotë politik, përkundër rregullativës ligjore në vend, të shkurtojmë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë. Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale.

Të udhëzojmë të gjithë kandidatët tanë, që çdo aktivitet paraelektoral e elektoral nga sot e deri më 17 tetor, ta bëjmë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pra të kemi njerëz aq sa lejohet, të respektohet distanca, e të respektohen masat e tubimeve të vogla siç udhëzohemi nga ekspertët tanë”.

Këtë kërkesë të Abdixhikut e ka përkrahur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar anulim të fushatës zgjedhore.

Konjufca ka theksuar se s’do të duhej të lejohej mbajtja e fushatës zgjedhore para zgjedhjeve të tetorit.

“Fushata zgjedhore jo vetëm që duhet të shkurtohet por unë do të thoja ndoshta të hiqet krejt për shkak të pandemisë.

Së pari mua mu dukën shumë të arsyeshme adresimet edhe të z.Abdixhiku edhe të z.Krasniqi sa i përket zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore. Unë pajtohem plotësisht me këtë qëndrim”, tha Konjufca në T7.

Po ashtu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka shtuar se duke u bazuar në gjendjen pandemike që po mbizotëron në Kosovës, ka vlerësuar se do të duhej të shytheshin zgjedhjet lokale, e që janë të përcaktuara që të mbahen më 17 tetor.

“Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin.

Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve mendoj që është kompetencë e presidencës. Por me sa di unë presidentja vendimin e saj e merr pas rekomandimit të IKSHPK’së”, ka deklaruar Konjufca.

Ndryshe sa i përket shkurtimit të fushatës zgjedhore, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qëndrimi i AAK-së është që fushata elektorale për zgjedhjete 17 tetorit të shkurtohet në 5 ditë e jo në 10 sa ka propozuar kryetari i LDK-së.

Sipas propozimit të Haradinajt i bie që fushata të mbahet nga data 11 tetor deri më 15 tetor.

“Kam pranuar një letër nga kryetari i LDK-së z. Abdixhiku ku ai kërkon shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 30 në 10 ditë. Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10”, kishte shkruar Haradinaj.