Vdekje tragjike në Korishë, një person gjendet i vetëvarur
Një ngjarje tragjike ka tronditur fshatin Korishë të Prizrenit, ku një biznesmen 52-vjeçar është gjetur i pajetë.
Sipas informacioneve, viktima, F.R., u gjet i vetëvarur në ballkonin e vikendicës së tij në malin e Kabashit.
Ngjarja u zbulua pasi familjarët e tij, të shqetësuar nga mungesa e komunikimit, ndërmorën kërkimet. Fillimisht, F.R. ishte larguar nga shtëpia në orët e pasdites duke thënë se po shkonte drejt firmës së tij. Kur nuk u kthye, bashkëshortja, djali dhe babai i tij u nisën për ta kërkuar.
Pas gjetjes së firmës të mbyllur, ata shkuan drejt shtëpisë së pushimit në mal. Aty u përballën me një pamje të tmerrshme.
Menjëherë pas zbulimit, ngjarja u raportua në Polici. Njësitë hetimore të Stacionit Policor Prizren, njësia rajonale e hetimeve dhe ekipi i forenzikës mbërritën në vendin e ngjarjes. Ekipi mjekësor konstatoi zyrtarisht vdekjen.
Trupi i pajetë i viktimës pritet të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, si pjesë e procedurave standarde për raste të tilla. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vdekjeje tragjike janë duke vazhduar.