Tragjedi në Prizren: Dyshohet se një 62 vjeçar ka kryer vetëvrasje

20.07.2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin gjatë ditës së diele, ku dyshohet se një person ka bërë vetëvrasje me armë zjarri.


Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 11:15 të datës 20.07.2025, autoritetet morën informacionin se në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit ishte dërguar një person i gjinisë mashkullore, me iniciale A.P., 62 vjeç, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, vdekja e tij u konstatua në spital.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitet policore, hetuesit dhe teknika kriminalistike kanë dalë në vendin e ngjarjes, në lagjen Tusus të Prizrenit. Sipas dëshmive fillestare dhe të dhënave të mbledhura në vendngjarje, dyshohet se rasti ka të bëjë me vetëvrasje, e kryer me armë personale.

Zëdhënësi Bytyqi theksoi se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes. Hetimet për këtë rast tragjik janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat.