Prizren, 61-vjeçari vdes pasi goditet nga vetura e parkuar që lëvizi prapa

08.08.2025

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, ku një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me veturën e tij.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rreth orës 12:17 është raportuar për një person të gjetur pa shenja jete. Sipas informacioneve fillestare, viktima, pasi kishte parkuar veturën dhe po vendoste një gur për siguri, është goditur nga lëvizja prapa e automjetit dhe ka rënë nga një mur mbi gjashtë metra i lartë.

Policia ka konstatuar se fillimisht personi kishte shenja jete, por ai ka ndërruar jetë gjatë transportit drejt Ambulancës së Reçanit.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore relevante, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar fillimin e rastit “Hetim i Vdekjes”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.