Mamushë, arrestohet i dënuari për falsifikim dokumentesh dhe krime kibernetike

20.08.2025

Policia e Kosovës ka ekzekutuar me sukses një urdhër-arrest në Mamushë ndaj një personi të dënuar për falsifikim dhe hyrje të paautorizuar në rrjetet kompjuterike.

Më 18 gusht 2025, Stacioni Policor në Mamushë, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ka arrestuar të dënuarin M. J., 38 vjeç, nga Mamusha. Ai ishte shpallur fajtor për veprat penale falsifikim të dokumentit zyrtar dhe hyrje të paautorizuar në rrjetet kompjuterike.

Me një vendim të formës së prerë, Gjykata e kishte dënuar me 22 muaj burgim efektiv. Pas një pune operative, patrulla policore ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë të dënuarin, i cili më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, në përputhje me vendimin gjyqësor.

Policia ka theksuar se ky aksion tregon përkushtimin e saj në zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.