Arrestohet zyrtari i Agjencisë Pyjore në Prizren, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

19.08.2025

Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Agjencisë Pyjore të Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I dyshuari, i cili punon si teknik i pylltarisë, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore duke shfrytëzuar pozitën për përfitime pasurore. Hetimet fillestare tregojnë se ai ka marrë para nga qytetarë të ndryshëm të rajonit të Prizrenit.

Në raportin ditor të policisë thuhet:

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, teknik i pylltarisë në Agjensionin Pyjor të Kosovës, me dyshimin se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete, duke marrë para nga qytetarët e ndryshëm të rajonit të Prizrenit. Lidhur me rastin me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”.

Prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa zyrtari i arrestuar do të qëndrojë në mbajtje për 48 orë.