Apeli lë në fuqi paraburgimin për katër të pandehurit e rastit të detyrimit dhe shmangies nga tatimi në Prizren
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të Liman Sallaukës, Xhevat Sallaukës, Nexhmi Krasniqit dhe Ramadan Paçarizit, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të 6 gushtit 2025.
Foto: Ilustrim
Sipas këtij vendimi, katër të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, nga 4 gushti deri më 4 shtator 2025. Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale të detyrimit, armëmbajtjes pa leje dhe shmangies nga tatimi.
Hetimet dhe aksioni i arrestimit janë udhëhequr nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vendimi i Themelores është i drejtë dhe nuk përmban shkelje të dispozitave ligjore. Sipas saj, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të cilat u vihen në barrë, në bazë të provave materiale dhe dokumenteve të lëndës.
Po ashtu, është konstatuar se lënia e tyre në liri do të rrezikonte asgjësimin, fshehjen, falsifikimin apo ndryshimin e provave, si dhe mund të ndikohej tek dëshmitarët dhe të dëmtuarit. Duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, si dhe karakteristikat personale të të pandehurve, Apeli ka theksuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e arsyeshme në këtë fazë të procedurës.
Sipas vendimit të Themelores, gjatë muajve nëntor–dhjetor 2024, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar si anëtarë të një grupi për të detyruar të dëmtuarin E.M. të tërhiqej nga një marrëveshje shitjeje toke, duke i shkaktuar dëm pasuror dhe përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Ndërkaq, ndaj Ramadan Paçarizit rëndon edhe dyshimi për shmangie nga tatimi, pasi dyshohet se nuk ka deklaruar qarkullimin real të një transaksioni prej 250 mijë eurosh, duke iu shmangur detyrimeve tatimore në vlerë prej 130 mijë eurosh.