Ish-zëvendësi i Bernad Kouchner, Covey: Rugova kishte frikë për sigurinë personale
Ish-zyrtari i UNMIK-ut, James Peter Covey, gjatë ditës së tretë të dëshmisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka rrëfyer për mungesën e Ibrahim Rugovës në Këshillin Tranzitor të Kosovës (KTK) dhe për tensionet mes LDK-së dhe UÇK-së pas luftës.
Trupi gjykues e pyeti atë nëse mungesa e Rugovës më 16 korrik në KTK kishte ndikuar që LDK-ja të refuzonte pjesëmarrjen.
“Ne menduam se kjo i dedikohet mungesës së Ibrahim Rugovës. Megjithatë, në ato momente, më 16 korrik, nuk ishim në dijeni ku ishte Rugova, vetëm se nuk ishte i pranishëm dhe mund të ishte jashtë Kosovës. Në ditët në vazhdim, LDK-ja dukej e çoroditur, pa udhëheqje dhe e ndarë, dhe nuk kishte konsensus që do t’i mundësonte pjesëmarrjen në Këshillin Tranzitor.” – tha Covey.
Ai shtoi se kishte kuptuar se LDK-ja kishte marrë pjesë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, por sipas tij, ky organ mbeti një “fushë e fantazisë” dhe nuk u konkretizua në funksionimin e administratës. “Unë nuk e di kush ka marrë pjesë në kuptimin e funksionimit të ndonjë funksioni,” u shpreh ai, transmeton kallxo.com.
Në pyetjen për tensionet mes LDK-së dhe UÇK-së dhe nëse ato ndikuan që Rugova të mos kthehej në Kosovë, Covey tha: “Nuk dua të spekuloj në lidhje me arsyet e anëtarëve të LDK-së. Sa i përket Rugovës, me kalimin e kohës mësuam përmes Kouchner-it se ai ishte në depresion, mbase me depresion klinik, pavarësisht se unë nuk jam mjek. Në fakt, ai kishte frikë për sigurinë e tij personale. Kouchner më tregoi se kishte bërë përpjekje ta bindte Rugovën që nëse vendoste të kthehej, siguria e tij do të ishte e siguruar. Kjo ishte një sfidë, pasi që KFOR-i nuk mund të siguronte mbrojtjen e tij personale, por mund të siguronte zonën rreth tij. Për këtë kishim miratimin e gjeneralit Jackson.”
James Peter Covey theksoi se frika e Rugovës lidhej me sulmin e pretenduar ndaj truprojave të tij.
“Nga bisedat me Kouchner-in dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne kuptuam që të gjithë truprojat e tyre ishin vrarë- pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur, pasi nuk jam informuar drejtpërdrejt, por KFOR-i besonte se vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj, ishte personi përgjegjës për këtë sulm. Në atë kohë nuk kishim dijeni për këtë. Rugova kishte pikëpamjet e tij, kishte arritur në qëndrimin e tij dhe kuptuam se kush ishte përgjegjës për këtë sulm; atëherë ishte e lehtë të kuptohej pse ai ishte i shqetësuar për sigurinë e tij.” – theksoi Covey.
Covey gjithashtu përmendi se Daut Haradinaj kishte qenë një nga vartësit në radhët e UÇK-së.