32 vjeçari nga Prishtina i dyshuar për tre vjedhje të rënda në Prizren bie në duart e Policisë

24.07.2025

Policia e Kosovës në Prizren ka arrestuar një person të dyshuar për tri vjedhje të rënda.

Me datë 23.07.2025, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, hetuesit e Stacionit Policor Prizren-Veri kanë arritur të sigurojnë prezencën e një personi të dyshuar për tre vepra penale të natyrës “Vjedhje e rëndë”.

Personi i dyshuar është F.M., 32 vjeç, nga Prishtina. Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ndaj të dyshuarit është lëshuar vendim mbi ndalimin nga prokurori përgjegjës, dhe i njëjti është dërguar në paraburgim.

Veprimet hetimore janë zhvilluar në koordinim të plotë me organet e drejtësisë, duke respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të Policisë së Kosovës.