Superliga e basketbollit rikthehet sot me dy duele interesante

27.01.2024

Superliga e Kosovës në basketboll, rikthehet sot me dy ndeshjet e para të xhiros së 19-të.

Superliga e basketbollit rikthehet sot me dy duele interesante Foto: Ilustrim

Sfida e parë do të jetë mes Vëllaznimit dhe Golden Eagle Yllit, vendit të pestë, përkatësisht të katërt në renditje. Kuqezinjtë kanë tetë fitore e dhjetë humbje, kurse therandasit kanë dhjetë fitore e tetë humbje, andaj pritet një sfidë e barabartë.

Gjithashtu sot do të përballen dy skuadrat me traditë, Sigal Prishtina dhe Bashkimi. Bardhekaltrit janë në vendin e tretë me 12 fitore e gjashtë humbje, kurse Portokallezinjtë në vendin e gjashtë me shtatë fitore e 11 humbje.

Ndërkaq, të dielën do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të kësaj fundjave.

Në sfidën e parë ballafaqohen Proton Cable Prizreni me Trepçën. Prizrenasit janë në vendin e shtatë me pesë fitore e 13 humbje, kurse mitrovicasit janë liderë me 16 fitore e dy humbje, prej tyre 11 fitore radhazi.

Dueli i fundit është mes Pejës dhe Istogut. Kampionët e Kosovës shihen si favoritë, pasi janë në vendin e dytë me 13 fitore e pesë humbje, ndërsa skuadra istogase ka vetëm një fitore e 17 humbje.

Superliga-Java 19

Sot takohen:

17:00 Vëllaznimi – Golden Eagle Ylli

19:00 Sigal Prishtina – Bashkimi

Nesër takohen:

17:00 Proton Cable Prizreni – Trepça

19:00 Peja – Istogu