AUV prezanton masat parandaluese të sëmundjeve të kafshëve
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Odën e Veterinarëve të Kosovës, si dhe ekspertë të fushës, me qëllim diskutimin e masave parandaluese për sëmundjet e kafshëve që janë të pranishme në rajon dhe Evropë.
Foto: Ilustrim
Takimi u organizua për të adresuar rreziqet dhe sfidat që këto sëmundje mund të paraqesin për sektorin e bujqësisë dhe veterinarisë në Kosovë, dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të siguruar një menaxhim më efikas të këtyre kërcënimeve.
Drejtori Ekzekutiv i AUV-së, z. Bekim Hoxha, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e masave të ndërmarra nga Agjencia dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Një nga temat kryesore të diskutimeve ishte përhapja e sëmundjeve të kafshëve, veçanërisht ato që qarkullojnë në rajon dhe mund të kenë pasoja serioze për sektorin bujqësor të Kosovës. Gjatë takimit, u theksua nevoja për përmirësimin e kushteve sanitare në ferma, si dhe rëndësia e një monitorimi të rreptë dhe të vazhdueshëm të sëmundjeve. Po ashtu, u dakorduan hapa konkretë për formulimin e një plani të përbashkët që do të mundësojë monitorimin e sëmundjeve, fuqizimin e shërbimeve veterinare dhe organizimin e fushatave sensibilizuese për kujdesin veterinar.
Ky takim dhe masat e prezantuara janë një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur një sektor të sigurt dhe të qëndrueshëm për prodhimin e produkteve bujqësore dhe veterinare në Kosovë.