VIDEO – Viti 1977, koha kur “Ballkani” i Suharekës hapi mbi 1500 vende të reja të punës

03.02.2022

ripublikim Për të mos gërryer dhe gjurmuar statistika e statistika se cilët kanë qenë faktorët që këtë qytezë e kishin bërë si një ndër vendet që shumë mërgimtarë asokohe kishin vendosur të kthehen nga vendet e perëndimit për tu punësuar këtu, thënë thjeshtë ishte PUNA. Në një video incizim të vitit 1977 nxjerrur nga arkivat […]

VIDEO – Viti 1977, koha kur “Ballkani” i Suharekës hapi mbi 1500 vende të reja të punës
ripublikim

Për të mos gërryer dhe gjurmuar statistika e statistika se cilët kanë qenë faktorët që këtë qytezë e kishin bërë si një ndër vendet që shumë mërgimtarë asokohe kishin vendosur të kthehen nga vendet e perëndimit për tu punësuar këtu, thënë thjeshtë ishte PUNA.

Në një video incizim të vitit 1977 nxjerrur nga arkivat e televizionit publik dokumentohet më detajisht se kush ishte “BALLKANI” i Suharekës.

Në video thuhet se rezultatet e “Ballkanit” më së i miri i dëshmojnë bilancet pozitive vjetore, ku vetëm gjatë vitit 1976 u realizue bruto prodhimi në vlerë prej 500 milion dinar ndërsa të ardhurat mesatare të punëtorëve ishin mbi 4200 dinar, shkruan SuharekaOnline.

I rëndësishëm është fakti se 92% të punonjësve të kësaj industrie u është zgjidhur çështja e banimit ndërsa deri në fund të vitit 1980 pritej të zgjidhet në tërësi. Në “Ballkan” pos zgjerimit të asortimentit të prodhimit, kujdes i duhur i është kushtuar edhe shkollimit dhe kualifikimit të kuadrove, saqë për nevojat e veta pranë qendrës shkollore në Suharekë hapi paralelet e degës së teknologjisë së gomës dhe të tekstilit ku mësonin mëse 500 nxënës.

Edhe pse shumica e nxënësve ishin prej fshatrave dhe mungonte konvikti në Suharekë, çështja e udhëtimit të tyre ishte zgjidhur ngase “Ballkani” kishte siguruar mjetet e komunikacionit gati në të gjitha relacionet. Madje të gjithë nxënësve u ishte siguruar gratis librat, rrobat e punës dhe ushqimi gjatë ditëve të punës praktike.

Një ndër format e aftësimit të punëtorëve ishte edhe shkollimi i punëtorëve pa shkëputje nga puna, gjë që deri në vitin 1977 ishin kualifikuar afro 400 punëtor. Por jo vetëm kaq, deri në atë vit “Ballkani” kishte edhe 280 bursist në shkollat e larta dhe fakultete.

LEXO EDHE:  KEDS njofton për punime, të premtën disa pjesë të Suharekës mbesin 8 orë pa furnizim me energji elektrike

Në hapësirat e “Ballkanit” asokohe po ngritej edhe zyra e offset-shtypit, që ishte e para në vend ku parashihej të invesoheshin 200 milion dinar.

Gjithashtu në vitin 1977 “Ballkani” po ndërtonte edhe objektin e njohur si “Damper” i cili do të prodhonte gomat-damper e që ishte një ndër objektet më të mëdha e më modern të asaj kohe në Europë ku do të prodhoheshin mbi 15 mijë tonelata goma-damper të cilave qysh gjatë ndërtimit të objektet u ishte siguruar tregu në tërësi.

Për ngritjen e “Damperit” janë investuar 1 miliard dinar.

Me ngritjen e sektorit të tekstilit, të gomave damper dhe e offset-shtypit “Ballkani” tashmë e kishte tregun e siguruar dhe do të hapte edhe 1500 vende të reja të punës që do ta katërfishonte bruto prodhimin.

E 28 vjet më pas, në vitin 2005 bazuar në të dhënat e AKP-së, Fabrika e Gomave në Suharekë është shitur për 1 milion e 400 mijë euro te ndërmarrja turke “Ozerband Group”.

Kontrata me blerësin është nënshkruar më 21 korrik 2005, ndërsa ai ishte zotuar se do të investojë 6 milionë euro për tre vjet dhe se për një periudhë dyvjeçare do të mbajë në punë 375 veta.

E ende duke ecur në kohë, në vitin 2016 punëtorët e kësaj fabrike menduan se do të rikthehej nami i dekadave të kaluara kur “Ballkani” u privatizua, e në asnjë mënyrë që viti 2016 do t’i gjente në grevë pikërisht për shkak të mosrealizimit të të drejtave të punëtorëve.