VIDEO – LDK Suharekë: Banorët e Dellocit të lënë pas dore, reshjet e borës bllokojnë qarkullimin në fshat!
Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme të mëdha në shumë pjesë të Kosovës, duke bllokuar rrugët dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.
Një nga rastet më problematike është ai i fshatit Delloc në komunën e Suharekës, ku banorët janë të izoluar për shkak të rrugës së bllokuar nga bora.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suharekë ka reaguar ndaj kësaj situate, duke theksuar përgjegjësinë e institucioneve komunale për mosndërhyrjen në kohë. Sipas LDK-së, banorët e Dellocit janë trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe janë lënë pas dore nga pushteti lokal.
“Ne solidarizohemi me kërkesat e banorëve të fshatit që rruga që të çon në fshatin Delloc të pastrohet dhe të bëhet e kalueshme,” thuhet në reagimin e LDK-së. “Poashtu u bëjmë thirrje institucioneve komunale që të pastrohet nga bora edhe çdo rrugë tjetër që lidh fshatrat me qytetin dhe fshatrat mes vete.”
LDK-ja e Suharekës kërkon nga institucionet komunale të marrin menjëherë masa për të zgjidhur këtë problem dhe për të siguruar që banorët e të gjitha fshatrave të kenë akses të barabartë në shërbime dhe infrastrukturë.