Transparenca e Komunave, Suhareka shënon regres, nga 78 pikë bie në 64

31.05.2022

Indeksi historik në këto matje ishte pasuruar me 46 indikatorë të rinj dhe dy politika publike, duke rritur kështu numrin e treguesve nga 41 në 87 sosh, të ndarë në tetë shtylla të qeverisjes si 1) transparenca e komunave në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, […]

Transparenca e Komunave, Suhareka shënon regres, nga 78 pikë bie në 64 Foto: Ilustrim

Indeksi historik në këto matje ishte pasuruar me 46 indikatorë të rinj dhe dy politika publike, duke rritur kështu numrin e treguesve nga 41 në 87 sosh, të ndarë në tetë shtylla të qeverisjes si 1) transparenca e komunave në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4) përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5) qasja në dokumente publike, 6) përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7) menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) ndërmarrjet dhe organizatat publike në pronësi të komunave.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se “përkundër rritjes prej 112% të indikatorëve matës, komunat e Kosovës kanë arritur një transparencë të përgjithshme prej 56% në politikat e përzgjedhura”. Për më shumë, edhe pse viti 2021 ishte një vit i zgjedhjeve lokale, për dallim nga viti 2017 kur për shkak të zgjedhjeve ishte neglizhuar transparenca komunale, Indeksi tregon se në vitin 2021 kishte një rritje të transparencës duke krahasuar indikatorët e njëjtë me ata të vitit paraprak. Viti 2021 ka shfaqur një trend pozitiv të transparencës në prokurimin publik në nivel komunal. Kjo paraqet një rritje prej rreth 13% krahasuar me shtatë indikatorët e njëjtë të shtyllës – nga një mesatare prej 57% në 2020, në 70% në 2021. Një rritje prej 9% është shënuar edhe në transparencën buxhetore në të shtatë indikatorët e njëjtë nga 64% në 2020 në 73% në 2021.

Metushi-Krasniqi shtoi se indeksi thekson nevojën e angazhimit të pushtetit lokal në rritjen e transparencës në lidhje me ndërmarrjet dhe organizatat publike, krijimin e instrumenteve për mbrojtjen e integritetit dhe raportimin e sjelljeve joetike. Po ashtu, ajo potencoi nevojën për përditësimin e planeve të integritetit në komunat e Kosovës, si dhe një përkushtim më të madh për pjesëmarrjen e publikut në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes së nivelit lokal. Për më tepër, shqetësues mbetet fakti që kemi katër komuna me rezultat minimal nën 10 pikë, të cilat, rrjedhimisht nuk japin llogari ndaj qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht edhe në rezultatet përmbledhëse të politikave dhe në rezultatin e përgjithshëm të Indeksit. Ndërsa, në mungesë të bordit të OSHP-së, nuk ka qenë e mundur analizimi dhe matja e katër indikatorëve që ndërlidhen me vendimet e këtij institucioni.

Indeksi i transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2021 e rendit komunën e Prishtinës si qytetin më transparent me 82.02 pikë nga 100, në 87 treguesit e matur, pasuar nga komunat e Rahovecit (80.97 pikë), Gjakovës (80.27 pikë), Mitrovica e Jugut (79.52 pikë), Lipjan (78.72 pikë), Ferizaj (78.08 pikë), Kaçanik (76.22 pikë), Pejë (75.87 pikë), Drenas (72.10 pikë) dhe Podujeva (72.04 pikë).

Ndërkaq indeksi i transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2021 e rendit Komunën e Suharekës të 16-ën me 64.33 pikë.

Duke krahasuar me vitin 2020, Komuna e Suharekës për nga vendi qëndron njëjtë, pasi që edhe atëherë ishte renditur e 16-ta, por me pikë ka shënuar regres, pasi që në vitin 2020 kishte 78.38 pikë, kurse për vitin e kaluar ka 64.33 pikë.

Komuna e Suharekës në shtyllën “Prokurimi Publik në nivel komunal” ka fituar 12.68 pikë, në “Buxhetimi dhe financat publike” ka fituar 6.92 pikë, në “Qasja në dokumente dhe informacionin publik” ka fituar 12.69 pikë, në “Pjesëmarrja publike” ka fituar 7.5 pikë, në “Grantet dhe Subvencionet” ka fituar 6.67 pikë, në “Etika Profesionale dhe Konflikti i Interesit” ka fituar 6 pikë, në ” Menaxhimi i pronës komunale dhe Ankandet” ka fituar 10 pikë dhe në ” Ndërmarrjet dhe organizatat komunale” ka fituar 1.88 pikë.

KDI inkurajon të gjitha komunat të rishikojnë mangësitë e tyre në këtë indeks për vitin 2021 dhe të përqendrohen në rritjen e transparencës në të gjitha shtyllat në vitin 2022.

Indeksi Vjetor i Transparencës në Qeverisjen Komunale për vitin 2021 – Suhareka renditet e 16-ta me 64.33 pikë
Indeksi Vjetor i Transparencës në Qeverisjen Komunale për vitin 2020 – Suhareka renditet e 16-ta me 78.38 pikë
Tabela tregon pikët e fituara nga secila komunë, për secilën nga shtyllat e matura