Të enjten gjykata merr vendimin përfundimtar për vrasjen e Jetmir Aliajt

Pas seancës së fundit të mbajtur më 30 korrik të këtij viti sot ka vazhduar seanca gjyqësore kundër ish-rreshterit, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e Jetmir Aliajt në një kazino në Suharekë më 17 mars të vitit 2019.

Në seancën e sotme prokurori i rastit, avokati i familjes Aliaj dhe pala mbrojtëse kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Paneli gjykues ka caktuar ditën e enjte 24 shtator në ora 13:00 momentin për shpalljen e vendimit përfundimtar të këtij rasti, shkruan SuharekaOnline.

Spahiu ballafaqohet me akuzat për vrasje të rëndë dhe për manipulim me prova. Polici Shefki Spahiu ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit Jetmir Aliaj, në vendin e punës, në një kazino të Suharekës më 17 mars të 2019.

Aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarit Shefki Spahiu, ku thuhet se pasi që i akuzuari qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës. “Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa, CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Sipas dosjes së Prokurorisë për veprën penale manipulim me prova polici Shefki Spahiu akuzohet se me 17 mars të vitit 2019, në Suharekë në kazino “Intacto” që gjendej në rrugën e Reshtanit kishte hequr, shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.