Sulmi ndaj policit në Suharekë, rasti ndodhi në autostradë afër fshatit Tërrnje – i dyshuari ishte me një autobus

11.12.2025

Një incident i rëndë është raportuar dje në autoudhën “Ibrahim Rugova”, ku një zyrtar policor ka qenë viktimë e një sulmi fizik nga një person ende i paidentifikuar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në afërsi të fshatit Terrnje – Suharekë, teksa zyrtari policor po lëvizte jashtë detyrës zyrtare drejt Prishtinës.

Ai ka vërejtur dy automjete të ndaluara në shiritin anësor të autoudhës dhe, për shkak të mjegullës së dendur dhe kushteve të rrezikshme për qarkullim, u ka kërkuar personave të marrin masa sigurie për të shmangur ndonjë aksident.

Sipas burimeve të Sinjalit, një person i panjohur, i dyshuar të ketë qenë me një autobus, e ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas incidentit, zyrtari ka marrë tretman mjekësor në QKMF Suharekë dhe rreth orës 21:30 është paraqitur në Stacionin Policor Suharekë për të raportuar rastin.

Burime të besueshme nga strukturat e hetimit bëjnë të ditur se Policia ka nisur kërkimet për identifikimin e të dyshuarit, por deri më tani ai nuk është kapur.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar dhe po hetohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërkohë që autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.