Suharekë, komuna subvencionoi 5 fermerë me sera pa plotësuar kushtin për posedim të tokës bujqësore së paku 0.5ha
Sipas Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Suharekës për vitin 2024, janë evidentuar shkelje serioze në ndarjen e subvencioneve për ndërtimin e serave për fermerët nga Drejtoria e Bujqësisë.
Foto: Ilustrim
Gjetjet e auditimit zbulojnë se pesë (5) përfitues të këtij programi nuk kishin ofruar dëshmi për posedim të së paku 0.5 hektarëve tokë bujqësore, një ndër kriteret kryesore të përcaktuara në thirrjen publike nr. 08-15, të datës 26.02.2024. Ky fakt përbën shkelje të drejtpërdrejtë të kushteve të aplikimit, dhe hedh hije të rënda mbi transparencën dhe integritetin e procesit.
Sipas auditorëve, shkaku kryesor i këtij dështimi është mospërgjegjshmëria e komisionit vlerësues, i cili ka aprovuar kërkesat në kundërshtim me kriteret zyrtare të thirrjes publike.
Auditimi vlerëson se kjo situatë minon besimin e fermerëve të tjerë në institucionet komunale, dhe krijon perceptimin e një procesi të padrejtë dhe të politizuar të shpërndarjes së subvencioneve publike. Në vend që fondet të shkojnë te fermerët që realisht i plotësojnë kushtet dhe kanë nevojë për to, ato janë ndarë në mënyrë të padrejtë dhe jashtë kritereve ligjore.
Auditorët i rekomandojnë Kryetarit të Komunës së Suharekës që të ndërmarrë masa urgjente për të përmirësuar procesin e vlerësimit të aplikimeve për subvencione, duke siguruar që vetëm aplikantët që plotësojnë kriteret ligjore të përfitojnë nga fondet publike.