Suharekë: Dështon gjykimi për vjedhjen e kabllove elektrike e zjarrvënie, urdhërohet shoqërimi me forcë për tre të akuzuarit
Mungesa e të akuzuarve T.E, M.B dhe I.E u bë shkak që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar të hënën për vjedhje të kabllos elektrike e zjarrvënie në Suharekë. Të akuzuarit T.E dhe I.E nuk i janë përgjigjur ftesës së gjykatës, ndërsa i akuzuari M.B, pavarësisht se ishte i ftuar përmes urdhëresës për sjellje me […]
Mungesa e të akuzuarve T.E, M.B dhe I.E u bë shkak që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar të hënën për vjedhje të kabllos elektrike e zjarrvënie në Suharekë.
Të akuzuarit T.E dhe I.E nuk i janë përgjigjur ftesës së gjykatës, ndërsa i akuzuari M.B, pavarësisht se ishte i ftuar përmes urdhëresës për sjellje me detyrim, mungesën nuk e ka arsyetuar.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjyqtari Lavdim Bajraktari të radhës e caktoi më 18 tetor 2021.
Ndërsa për të akuzuarit T.E, M.B dhe I.E ka urdhëruar shoqërimin me forcë nga ana e policisë, për seancën e radhës.
I pranishëm në këtë seancë ka qenë prokurori Atnor Skoro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës të akuzuarit T.E, M.B dhe I.E mes datave 24-25 shkurt 2015, gjatë natës, në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, në një objekt në ndërtim e sipër, në bashkëveprim, ia marrin të dëmtuarit R.K pasurinë me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.
Në aktakuzë thuhet se ata shfrytëzojnë momentin e volitshëm, mosprezencën e rojtarit të objektit, hyjnë në objekt marrin rreth 350 euro metra kabllo elektrike, në vlerë prej 400 euro dhe largohen nga vend i ngjarjes, me ç’rast të dëmtuarit R.K i shkaktojnë dëm material.
Me këto veprime akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhja” nga neni 325 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës më 4 qershor 2015, në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, në vendin e quajtur “Kasablanka” në bashkëveprim ndezin zjarrin, me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, në atë mënyrë që të pandehurit shkojnë në hapësirat e kampit, i afrohen Kullës vrojtuese e ndërtuar nga druri dhe llamarina, të cilës më pasi ia vëjnë zjarrin, me qëllim që të marrin llamarinën nga kulla, me ç’rast të dëmtuarit- Kuvendit Komunal në Suharekë, i shkaktojnë dëm pasuror në vlerë rreth 1 mijë 500 euro.
Me këto veprime akuzohen se kanë kryer veprën penale “zjarrvënia” nga neni 344, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Sipas pikës së tretë të aktakuzës më 11 shtator 2015, në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, në vendin e quajtur “Kasablanka”, në bashkëveprim, duke thyer, kaluar apo depërtuar me forcë në hapësirat e mbyllura, afrohen në vendin e lartëcekur, e këpusin rrethojën e këtij kampi, hyjnë në hapsirat e kampit, presin kabllo elektrike në gjatësi rreth 60 metra, në vlerë prej 150 euro dhe largohen nga vend i ngjarjes, me ç’rast të dëmtuarës, Kuvendit Komunal të Suharekës i shkaktojnë dëm material.
Me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim prej tre deri në shtatë vjet. /BetimipërDrejtësi/