Suharekasit merakli të armëve, për 6 muaj në polici u regjistruan 7 raste të armëmbajtjes pa leje
Mbajtja e armëve pa leje është njëra nga shumë sfidat e institucioneve të shtetit, pasi që ato në disa raste mund të keqpërdoren nga persona të ndryshëm të cilat i posedojnë dhe mund të shkaktojnë rrezik të përgjithshëm. Në raste të tilla intervenon Policia e Kosovës e cila konfiskon armët pa leje e në disa […]
Foto: Ilustrim
Mbajtja e armëve pa leje është njëra nga shumë sfidat e institucioneve të shtetit, pasi që ato në disa raste mund të keqpërdoren nga persona të ndryshëm të cilat i posedojnë dhe mund të shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.
Në raste të tilla intervenon Policia e Kosovës e cila konfiskon armët pa leje e në disa raste arreston edhe personat të cilat i posedojnë ato, shkruan SuharekaOnline.
Ngjarje të tilla kemi dëgjuar edhe në Komunën e Suharekës, ku në çdo takim të sigurisë lokale Policia e Kosovës në Suharekës përveç ngjarjeve të tjera raporton edhe për armëmbajtjet pa leje.
Lidhur me këtë fenomen SuharekaOnline ka dërguar pyetje në Stacionin Policor në Suharekë për të ditur se gjatë këtyre gjashtë muajve të vitit 2023 sa raste të tilla janë regjistruar.
Komandanti i Policisë së Kosovës në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-qershor, në stacionin të cilin e drejton ai janë regjistruar gjithsej 7 raste të armëmbajtjes pa leje.
Poashtu, ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët të cilët posedojnë armë të mos i përdorin ato në asnjë rast, sepse sfidë dhe rrezikshmëri është sezona e verës ku organizohen shumë dasma e ahengje të ndryshme e në shenjë feste disa persona zgjedhin të gjuajnë me armë pa menduar rrezikun që mund të shkaktojnë, andaj apeli i Komandantit të Policisë në Suharekë, Afrim Sylaj është që të festohet me zemër dhe jo armë.